Saturday, January 19, 2008

TUNA KOPJACE


Nuk është rasti i parë në historinë e muzikës shqiptare, kur klipet e reja të këngëtarëve të njohur kanë ngjashmëri të madhe me hite të famshme botërore.

Dihet mania që ka kapur pjesën dërrmuese të tyre për të përshtatur hitet e tyre me ritmet ballkanike, si sllave apo bullgare, madje ka nga ata që guxojnë të mos ndryshojnë as fjalët e tekstit të këngës, duke e bërë kryekëput të ngjashme me ato të këngëtarit që ia kanë vjedhur. Ndërsa në rastin e Altuna Sejdiut, apo siç njihet me emrin e artit Tuna, kopjimi i kalon kufijtë e Ballkanit.

Nga rrethet e muzikantëve shqiptarë e kosovarë po thuhet se kënga më e fundit “Bileta” është kopjuar nga hiti “Back to black” i këngëtares Amy Winehouse. Lidhur me këtë akuzë, Tuna është shprehur shkurt nëpër media të ndryshme, se “nuk ka kufij në kreativitetin njerëzor”, duke lënë të kuptohet se ajo nuk do që t’ia faturojë ngjashmërinë e “Biletës” së saj hitit të njohur të këngëtares Winehouse.

Që shpikjet i ka bërë bota, jo vetëm në teknologji, por edhe në çdo sektor tjetër jetik të njeriut, kjo dihet, ndaj duket se nuk mbetet shumë për të bërë nga ana e shqiptarëve. Plagjiatura në muzikë, tekste këngësh e videoklipesh është kthyer në gjetjen më të zakonshme, pre e së cilës ka rënë së fundmi edhe Tuna.

Burimi: Gazeta Korrieri

No comments: